COVID i zgjatur ose gjendja pas COVID-19 përfshin simptoma që zgjasin për muaj pas kalimit të infeksionit, si lodhje, turbullim mendor dhe vështirësi në frymëmarrje.
Një studim i botuar në “Clinical Infectious Diseases”, sugjeron se fillimi i trajtimit me metforminë brenda tre muajve nga diagnostikimi me SARS-CoV-2 mund të ulë rrezikun e kësaj gjendjeje, sidomos te personat mbipeshë ose obezë, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Metformina është një ilaç i përdorur gjerësisht për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak tek pacientët me diabet tip 2. Studiuesit analizuan të dhënat e kujdesit parësor në Angli për mbi 624 mijë të rritur.
Rreth 3,000 prej tyre nisën trajtimin me metforminë brenda tre muajve pas infektimit.
Rezultatet treguan se përdoruesit e metforminës kishin një rrezik 64% më të ulët për zhvillimin e COVID të zgjatur krahasuar me ata që nuk e morën ilaçin.
Ky efekt mbeti i ngjashëm edhe në analiza të ndara sipas moshës apo statusit të diabetit.
Studiuesit përcaktuan COVID e zgjatur bazuar në kode të veçanta diagnostikuese ose praninë e të paktën një prej 25 simptomave të përcaktuara nga OBSH, të shfaqura tre muaj deri një vit pas infektimit. U përjashtuan personat që kishin përdorur metforminë më parë ose kishin kundërindikacione për këtë ilaç.
Edhe pse rezultatet janë premtuese, ekspertët theksojnë se nevojiten prova shtesë nga studime të kontrolluara për të konfirmuar efektin mbrojtës të metforminës.
Megjithatë, duke qenë se ky ilaç është i përhapur dhe me profil sigurie të mirë, mundësia e përdorimit të tij për të parandaluar COVID e zgjatur mbetet shumë premtuese. /Gazeta Shneta/


