Personat e moshës së mesme që duhet t’i nënshtrohen kontrollit për kancerin e zorrës së trashë tashmë kanë një opsion të ri: një test gjaku i miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA). Ky test ofron një alternativë më të thjeshtë ndaj kolonoskopisë, por sipas ekspertëve, mbetet më pak i saktë.
Një studim i botuar në “Annals of Internal Medicine”, tregon se testi i gjakut arriti të identifikojë kancerin tek mbi 83% e personave me tumor kolorektal, por zbuloi vetëm 13% të polipeve prekanceroze.
Ndërkohë, kolonoskopia mbetet metoda më e besueshme, pasi jo vetëm zbulon, por edhe parandalon kancerin duke hequr polipet gjatë ekzaminimit, shkruan burimi Health Day.
“Gjenerata e parë e testeve të gjakut është një zhvillim emocionues, por nuk e zëvendëson kolonoskopinë,” u shpreh Dr. Uri Ladabaum nga Stanford Medicine.
Ai theksoi se shumë persona shmangin kolonoskopinë për shkak të procedurës së vështirë dhe përgatitjes së bezdisshme, megjithëse ajo është një nga metodat e pakta që mund të parandalojë plotësisht kancerin.
Ekspertët rekomandojnë që pacientët me rezultate pozitive nga testet e gjakut ose fekale të kryejnë kolonoskopinë për konfirmim. /Gazeta Shneta/


