Qelizat beta, të cilat ndodhen në pankreas, janë përgjegjëse për prodhimin e insulinës – hormonit që rregullon nivelin e sheqerit në gjak. Te njerëzit me diabet të tipit 2, këto qeliza reagojnë më dobët ndaj rritjes së glukozës, duke vështirësuar kontrollin e sëmundjes.
Një studim i ri i publikuar në “Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism”, sugjeron se të rriturit me diabet të butë të tipit 2 mund të përmirësojnë funksionin e qelizave beta duke ndjekur një dietë me pak karbohidrate.
Kjo qasje mund t’i ndihmojë pacientët të menaxhojnë gjendjen më mirë dhe në disa raste, të reduktojnë nevojën për mjekim, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët megjithatë theksojnë se qëndrueshmëria afatgjatë e një diete të tillë është sfiduese. Ata rekomandojnë kombinimin e saj me mënyra të tjera të bazuara në prova shkencore, si aktiviteti fizik i rregullt dhe kontrolli i peshës trupore.
Rreth një në dhjetë amerikanë jetojnë me diabet, ndërsa 90–95% e rasteve janë të tipit 2, duke e bërë këtë një nga sëmundjet kronike më të përhapura.
Shkencëtarët po vijojnë të studiojnë rolin e qelizave beta për të kuptuar më mirë mekanizmat e sëmundjes dhe për të zhvilluar trajtime më efektive. /Gazeta Shneta/


