Kanceret që dikur shfaqeshin kryesisht tek të moshuarit po diagnostikohen gjithnjë e më shpesh tek personat nën 50 vjeç.
Një studim i qeverisë amerikane, që analizoi mbi dy milionë raste të diagnostikuara mes viteve 2010–2019, tregoi se 14 nga 33 lloje kanceri kishin rritje të incidencës tek grupmoshat më të reja. Teksa, rreth 63% e rasteve u regjistruan tek gratë, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, një hulumtim i botuar në “JAMA Internal Medicine”, sugjeron se kjo rritje nuk lidhet gjithmonë me shtim real të sëmundjes së rrezikshme, por më shumë me mbidiagnostikim.
Studiuesit shqyrtuan tetë llojet e kancerit me rritjen më të shpejtë, përfshirë tiroiden, veshka, zorrët dhe pankreasin. Ata zbuluan se ndërsa numri i diagnozave pothuajse është dyfishuar që nga vitet e 90-ta, normat e vdekshmërisë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.
Për shembull, kanceri i tiroides dhe ai i veshkave kanë shënuar rritje të madhe në diagnostikim pa një rritje përkatëse të vdekjeve, duke treguar se shumë raste të zbuluara nuk do të kishin shkaktuar kurrë dëm. E njëjta gjë vërehet edhe te kanceri i gjirit në fazë të hershme, ku rastet janë shtuar, por vdekshmëria është përgjysmuar falë përmirësimeve në trajtim.
Përjashtime ka: kanceri kolorektal dhe ai endometrial kanë treguar rritje të lehta, por të qëndrueshme në vdekje, shpesh të lidhura me obezitetin ose faktorë të tjerë shëndetësorë.
Ekspertët paralajmërojnë se paraqitja e kancerit të hershëm si “epidemi” mund të çojë në frikë të panevojshme dhe trajtime invazive, duke ngarkuar emocionalisht e financiarisht pacientët që ndoshta nuk do të kishin pasur pasoja serioze. /Gazeta Shneta/


