Një studim i prezantuar në Kongresin e 38-të Vjetor të Shoqatës Evropiane të Mjekësisë Bërthamore (EANM’25) ka zbuluar se aktiviteti metabolik i lartë i yndyrës së brendshme (viscerale) mund të jetë i lidhur me forma më agresive të kancerit të mitrës.
Hulumtimi, i zhvilluar nga ekipi i Haukeland University Hospital dhe Universitetit të Bergenit, përfshiu 274 gra me kancer endometrial, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan skanimet PET/CT për të matur thithjen e glukozës në yndyrën viscerale – një tregues i aktivitetit metabolik.
Ata zbuluan se gratë me aktivitet më të lartë metabolik të yndyrës ishin më të prira të kishin sëmundje në fazë të avancuar dhe me metastaza në nyjet limfatike.
“Aktiviteti i shtuar metabolik në yndyrën viscerale ishte ndjeshëm i lidhur me fazat më të avancuara të kancerit dhe me praninë e metastazave në nyjet limfatike,” tha autori kryesor i studimit, Jostein Sæterstøl, kandidat për doktoraturë në Universitetin e Bergenit.
“Është me rëndësi që nuk pamë një lidhje të fortë mes sasisë së yndyrës dhe aktivitetit të saj, gjë që tregon se agresiviteti i sëmundjes lidhet me biologjinë e yndyrës, e jo vetëm me volumin e saj.”
Studiuesit theksojnë se inflamacioni kronik në yndyrën viscerale mund të çlirojë citokina dhe acide yndyrore që nxisin rritjen e tumorit dhe shmangien e sistemit imunitar.
Përveç kësaj, molekulat sinjalizuese të quajtura adipokina dhe ndërveprimi mes indeve dhjamore dhe qelizave tumorale mund të lehtësojnë përhapjen e kancerit në nyjet limfatike.
Aktualisht, matja e metabolizmit të yndyrës viscerale me PET/CT nuk është pjesë e praktikës rutinë për shkak të kufizimeve teknike, por shkencëtarët parashikojnë se me zhvillimet në inteligjencën artificiale dhe analizat e avancuara të imazheve, këto matje mund të ndihmojnë në identifikimin e pacienteve me rrezik të lartë dhe në përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm.


