Një ekip shkencëtarësh japonezë ka zbuluar për herë të parë provat biologjike që shpjegojnë pse shumë pacientë me Long COVID përjetojnë të ashtuquajturën “mjegull në tru” – një gjendje që shkakton vështirësi në përqendrim, kujtesë dhe mendim të qartë.
Hulumtimi, i udhëhequr nga profesori Takuya Takahashi në Universitetin e Qytetit Yokohama, zbuloi se personat me Long COVID kanë rritje të dukshme të aktivitetit të receptorëve AMPA, molekula të rëndësishme për proceset e të mësuarit dhe kujtesës.
Duke përdorur një teknologji të re të quajtur K-2 AMPAR PET imaging, studiuesit analizuan trurin e 30 pacientëve me Long COVID dhe e krahasuan me 80 persona të shëndetshëm, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Ata gjetën se sa më i lartë të ishte aktiviteti i këtyre receptorëve, aq më të theksuara ishin simptomat e mjegullës në tru.
Po ashtu, u vërejt lidhje mes inflamacionit në tru dhe rritjes së receptorëve, duke sugjeruar se reagimi imunitar mund të jetë shkaku kryesor i çrregullimeve molekulare që prekin funksionet njohëse.
“Rezultatet tona tregojnë qartë se Long COVID me mjegull në tru duhet të njihet si një gjendje klinike e mirëfilltë,” theksoi profesori Takahashi, duke shtuar se kjo zbulim mund të nxisë zhvillimin e diagnostikimeve dhe trajtimeve të reja për këtë çrregullim.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 6 nga çdo 100 persona që kanë kaluar COVID-19 zhvillojnë gjendje pas infeksionit, ndërsa “mjegulla në tru” mbetet një nga simptomat më të zakonshme dhe më penguese të jetës së përditshme.


