Një studim i ri sugjeron se mikroplastikat mund të kontribuojnë në bllokimin e arterieve, duke rritur rrezikun për sulm në zemër ose tru.
Sipas gjetjeve të publikuara nga Shoqata Amerikane e Zemrës, pllakat yndyrore që grumbullohen në arteriet e qafës përmbajnë më shumë se 50 herë më shumë mikroplastika sesa arteriet pa pllaka.
Nivele edhe më të larta janë vërejtur tek pacientët që kishin kaluar më parë një sulm në tru, një mini-sulm ose humbje të përkohshme të shikimit si pasojë e bllokimit të enëve të gjakut, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
“Mikroplastikat dhe nanoplastikat janë kudo në mjedisin tonë, veçanërisht në grumbujt e mbeturinave plastike që përfundojnë në oqeane. Me kalimin e kohës, ato shpërbëhen, përzihen me tokën dhe ujin, dhe hyjnë në zinxhirin ushqimor,” shpjegoi udhëheqësi i studimit, Dr. Ross Clark, kirurg vaskular dhe studiues në Universitetin e Nju Meksikos.
Sipas tij, shumë njerëz mendojnë se ekspozimi ndaj mikroplastikave vjen kryesisht nga përdorimi i enëve të kuzhinës, shisheve plastike ose ambalazheve. Në të vërtetë, burimi kryesor është ushqimi dhe uji që konsumojmë çdo ditë.
Nanoplastikat janë edhe më të vogla – nën 1,000 nanometra – dhe nuk mund të shihen me sy të lirë. Për krahasim, një fije floku njerëzor është rreth 50,000 deri në 80,000 nanometra e gjerë.
Studiuesit theksojnë se këto gjetje janë ende paraprake dhe duhet të konfirmohen përmes publikimeve shkencore me shqyrtim të kolegëve. Megjithatë, ato shtojnë një dimension të ri shqetësues mbi ndikimin e plastikës në shëndetin e njeriut. /Gazeta Shneta/


