Një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga shkencëtarë spanjollë ka identifikuar një proteinë të veçantë, e cila mund të bëjë që qelizat e kancerit të vetëshkatërrohen, duke hapur rrugë të reja për trajtime më efektive. Zbulimi është publikuar në revistën shkencore “Cell Death Discovery”.
Proteina, e quajtur HapA, prodhohet nga bakteri Vibrio cholerae. Ajo u testua në linja qelizore të kancerit të gjirit, zorrës së trashë dhe pankreasit. Mekanizmi i saj vepron mbi dy receptorë kryesorë në sipërfaqen e qelizave tumorale – PAR-1 dhe PAR-2 – të cilët zakonisht lidhen me zhvillimin e tumoreve, inflamacionin dhe mpiksjen e gjakut, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ndryshe nga enzimat njerëzore, HapA i pret këta receptorë në pika të veçanta, duke shkaktuar një proces të shpejtë apoptoze – vdekjes së programuar të qelizave kancerogjene.
Eksperimentet treguan se vetëm prania e HapA-s çoi në uljen e gjallërisë së qelizave tumorale, ndërsa bakteret pa këtë proteinë nuk kishin efekt.
“Ky studim tregon potencialin e proteinave bakteriale si mjete terapeutike kundër tumoreve,” tha Antonio Hurtado, studiues në Universitetin e Salamankës.
Zbulimi sugjeron se HapA mund të përdoret për të modifikuar në mënyrë të synuar sinjalizimin qelizor, duke shmangur efektet anësore që shfaqen shpesh në terapitë tradicionale.
Për shkencëtarët, ky është një shembull i fuqishëm se si studimi i patogjenëve mund të zbulojë mekanizma molekularë të papritur me potencial të madh terapeutik. /Gazeta Shneta/


