Një studim i ri sugjeron se statusi socioekonomik dhe faktorët e stilit të jetesës ndikojnë më shumë në plakjen e shëndetshme sesa gjenetika.
Studimi i botuar në revistën “Nature Medicine”, tregon se faktorët mjedisorë – përfshirë zgjedhjet e jetesës dhe kushtet e përditshme – janë rreth dhjetë herë më të rëndësishëm se trashëgimia gjenetike për shëndetin dhe parandalimin e vdekjes së hershme, raportoi Euronews Health, përcjell Gazeta Shneta.
Hulumtimi, i udhëhequr nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar, analizoi gati gjysmë milioni persona dhe zbuloi se mosha, seksi dhe faktorët mjedisorë – të njohur si “exposome” – shpjegojnë rreth 66% të rrezikut për vdekje. “Na habiti rëndësia e mjedisit në krahasim me gjenetikën,” tha Austin Argentieri, autori kryesor dhe hulumtues në Universitetin e Harvardit.
Shkencëtarët identifikuan rreziqet gjenetike për 22 sëmundje, ndjekën problematika të zakonshme shëndetësore si obeziteti, presioni i lartë i gjakut dhe dislipidemia, dhe përdorën proteina gjaku për të matur plakjen biologjike.
Fillimisht u shqyrtuan 164 faktorë mjedisorë, por më pas u ngushtuan në 25 masa kyçe, përfshirë arsimin, të ardhurat, punësimin, gjumin, ushtrimin fizik, duhanpirjen, mbështetjen shoqërore, mirëqenien mendore dhe peshën trupore që në fëmijëri.
Individualisht, faktorët kishin ndikim modest, por të kombinuar gjatë jetës, ata shtoheshin.
Për më tepër, shumë prej këtyre faktorëve mund të ndryshohen, duke ofruar udhëzime të qarta për politika dhe ndërhyrje që mund të përmirësojnë shëndetin dhe të nxisin plakjen e shëndetshme. /Gazeta Shneta/


