Konsumi i alkoolit është një ndër shkaqet kryesore të kancerit në Europë, paralajmëron një raport i ri i Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ekspertët thonë se politika më të forta qeveritare për të kufizuar përdorimin e alkoolit mund të parandalojnë mijëra raste dhe vdekje çdo vit, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas raportit, në vitin 2020 vetëm në Bashkimin Europian – rajoni me konsumin më të lartë të alkoolit në botë – alkooli shkaktoi mbi 111,000 raste të reja kanceri.
Në nivel global, kjo shifër arriti rreth 741,000, ku pothuajse 70% e rasteve u regjistruan tek meshkujt. Përveç pasojave shëndetësore, dëmi ekonomik është i madh: vdekjet e parakohshme nga kanceret e lidhura me alkoolin i kushtuan Europës rreth 4.6 miliardë euro në vitin 2018.
Sipas OBSH-së, alkooli rrit rrezikun për të paktën shtatë lloje kanceresh, përfshirë ato të gojës, fytit, ezofagut, mëlçisë, zorrës së trashë dhe gjirit.
Ky rrezik lidhet me dëmtimin e ADN-së, ndryshimet hormonale dhe efektet toksike të substancës acetaldehid. Edhe konsumi “i moderuar” – më pak se dy pije në ditë – u lidh me mbi 100,000 raste të reja në vitin 2020.
IARC thekson se politikat e forta, si taksa më të larta, kufizimi i orareve dhe reklamimit të alkoolit, si dhe ngritja e moshës ligjore për konsum, mund të reduktojnë ndjeshëm rrezikun.
“Asnjë nivel pirjeje nuk është i sigurt,” tha Dr. Béatrice Lauby-Secretan, duke nënvizuar se ndërgjegjësimi publik dhe ndryshimi i normave shoqërore janë thelbësorë në parandalimin e kancerit. /Gazeta Shneta/


