Një studim i ri tregon se ndryshimi në udhëzimet mjekësore për ushqimet alergjike ka dhënë rezultate të prekshme.
Që nga viti 2015, kur u rekomandua për herë të parë futja e kikirikëve në ushqimin e bebeve që nga mosha katër muajsh, rreth 60,000 fëmijë amerikanë kanë shmangur alergjinë ndaj kikirikëve, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Udhëzime të ngjashme janë miratuar edhe në Europë: Akademia Evropiane e Alergjisë dhe Imunologjisë Klinike në vitin 2021 rekomandoi prezantimin e kikirikëve në moshën katër deri në gjashtë muaj, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë ndjekur të njëjtin shembull.
Sipas studimit të botuar në revistën “Pediatrics”, rastet e alergjisë ndaj kikirikëve tek fëmijët deri në moshën tre vjeç ranë me mbi 27% pas udhëzimeve të vitit 2015, dhe me mbi 40% pas zgjerimit të tyre në vitin 2017.
Më parë, mjekët këshillonin shtyrjen e futjes së ushqimeve alergjike deri në moshën tre vjeç. Por studimi “LEAP”, i udhëhequr nga profesori Gideon Lack në ‘King’s College London’, zbuloi se ekspozimi i hershëm ndaj produkteve me kikirik mund të ulte rrezikun e alergjisë me mbi 80%.
Udhëzimet e fundit theksojnë se futja e kikirikëve dhe ushqimeve të tjera alergjike midis muajit të katërt dhe të gjashtë mund të bëhet pa teste paraprake, por gjithmonë nën këshillën e pediatrit.
Edhe sasitë e vogla, si pak gjalpë kikiriku apo kos me bazë qumështi ose soje, ndihmojnë sistemin imunitar të përshtatet në mënyrë të sigurt. /Gazeta Shneta/


