Sindroma metabolike përfshin një sërë problemesh shëndetësore – si presioni i lartë i gjakut dhe nivelet e larta të sheqerit – që rrisin rrezikun për sëmundje më serioze, përfshirë goditjen në tru.
Shumë faktorë ndikojnë në zhvillimin e kësaj sindrome, ndaj studiuesit po përpiqen të përcaktojnë strategjitë më efektive për parandalimin e saj, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një përmbledhje dhe meta-analizë e nëntë studimeve ka treguar se shmangia e mëngjesit lidhet me një rrezik më të lartë për zhvillimin e sindromës metabolike.
Sipas Institutit Kombëtar për Zemrën, Mushkëritë dhe Gjakun në SHBA, sindroma metabolike diagnostikohet kur një person ka të paktën tre nga pesë kushtet e mëposhtme: mbipeshë abdominale, nivel të lartë të sheqerit në gjak, tension të lartë, trigliceride të rritura dhe nivele të ulëta të kolesterolit “të mirë” (HDL).
Personat me këtë sindromë kanë rrezik më të madh për sëmundje kardiake, diabet të tipit 2 dhe dëmtime të organeve.
Një rishikim sistematik i publikuar në revistën “Nutrients”, tregoi se mosngrënia e mëngjesit mund të rrisë ndjeshëm gjasat për sindromë metabolike, duke e bërë këtë zakon një faktor të rëndësishëm për t’u adresuar në parandalim.
Studimi, i kryer nga hulumtues kinezë, analizoi të dhëna nga 118,385 pjesëmarrës në SHBA, Japoni dhe Iran.
Rezultatet treguan se ata që anashkalonin mëngjesin kishin më shumë gjasa të zhvillonin mbipeshë abdominale dhe probleme metabolike. Edhe pse disa studime nuk gjetën lidhje të drejtpërdrejtë, analizat e kombinuara konfirmuan se mungesa e mëngjesit lidhet me një rrezik më të lartë për sindromë metabolike në përgjithësi. /Gazeta Shneta/


