Një studim i publikuar në revistën British Journal of Health Psychology ka zbuluar se përdorimi i aplikacioneve komerciale të fitnesit mund të ketë pasoja të padëshiruara psikologjike dhe emocionale, të cilat në disa raste mund të pengojnë arritjen e qëllimeve për shëndet dhe mirëqenie.
Studiuesit nga University College London përdorën inteligjencën artificiale për të analizuar mbi 58 mijë postime në rrjetin X (ish-Twitter) që lidhen me pesë aplikacionet më fitimprurëse të fitnesit.
Përmes metodës “machine-assisted topic analysis”, ata identifikuan tema të përsëritura që tregonin vështirësi në numërimin e kalorive, shtrembërim të ushtrimeve përmes algoritmeve të thjeshtuara, probleme teknike dhe reaksione emocionale negative ndaj njoftimeve të aplikacioneve.
Shumë përdorues raportuan ndjenja faji, zhgënjimi dhe demotivimi, që shpesh çonin në braktisjen e aplikacioneve dhe sjelljeve të shëndetshme.
“Kur shëndeti reduktohet në numër kalorish apo hapa, njerëzit ndihen të lodhur, të turpëruar dhe të shkëputur nga qëllimet e vërteta të mirëqenies,” tha Dr. Paulina Bondaronek, autore e studimit.
Sipas autorëve, rezultatet tregojnë se aplikacionet e fitnesit duhet të riprojektohen në mënyrë më njerëzore, duke vendosur theksin tek motivimi i brendshëm, mirëqenia psikologjike dhe jo vetëm te objektivat numerike.


