Një studim i ri ka nxjerrë në pah një mundësi premtuese për trajtimin e çrregullimit të spektrit të autizmit (ASD): përdorimin e litiumit, një ilaç që prej dekadash përdoret për trajtimin e çrregullimit bipolar dhe depresionit.
Studimi, i kryer nga Qendra për Çrregullime Sinaptike të Trurit në Institutin për Shkencë Bazike (IBS) nën drejtimin e prof. Kim Eunjoon, zbuloi se litiumi mund të rikthejë funksionin normal të trurit dhe të lehtësojë simptomat e sjelljes në modelet shtazore të ASD, të shkaktuara nga mutacionet në gjenin Dyrk1a, raporton Medical Xpress, përcjell Gazeta Shneta.
ASD prek rreth 2.8% të popullsisë botërore dhe karakterizohet nga vështirësi në komunikim, sjellje repetitive, sfida intelektuale dhe ankth. Aktualisht, nuk ekziston ndonjë trajtim specifik apo masë parandaluese për këtë çrregullim, çka e bën kërkimin e metodave të reja terapeutike thelbësor.
Në eksperimentet me minj mutantë, administrimi i litiumit solli rezultate mbresëlënëse: normalizoi madhësinë e trurit, riktheu strukturën e neuroneve, dhe përmirësoi ndjeshëm ndërveprimin shoqëror dhe ankthin. Për më tepër, efektet e trajtimit vazhduan edhe pas përfundimit të tij, duke sugjeruar përfitime afatgjata për zhvillimin e trurit.
Sipas prof. Kim Eunjoon, “Litiumi, një ilaç i përdorur gjerësisht për çrregullimin bipolar, mund të shërbejë gjithashtu si trajtim për ASD. Efektet e qëndrueshme të tij theksojnë rëndësinë e ndërhyrjes së hershme gjatë periudhave kritike të zhvillimit.”
Studimi, i botuar në revistën “Molecular Psychiatry”, hap horizonte të reja për trajtimin e autizmit dhe nënvizon rëndësinë e diagnozës së hershme për suksesin e terapive të ardhshme. /Gazeta Shneta/


