Një studim i realizuar nga profesoresha e Universitetit RUDN, Svetlana Orlova, në bashkëpunim me kolegë nga Franca, ka vërtetuar se marrja e magnezit dhe vitaminës B6 ndihmon shtatzënat të përballen me pasojat e mungesës së magnezit dhe me çrregullime hormonale gjatë shtatzënisë.
Brenda katër javësh trajtim, simptomat e dhimbshme u reduktuan, cilësia e jetës u përmirësua dhe rreziku i abortit u ul ndjeshëm, sipas studimit të botuar në “Scientific Reports”, transmeton Gazeta Shneta.
Magnezi luan një rol thelbësor në funksionet jetësore të trupit, përfshirë sintezën e proteinave dhe proceset e frymëmarrjes qelizore.
Mungesa e tij shpesh lidhet me dietë të varfër, diabet ose hipertension, por gjatë shtatzënisë ky problem bëhet më i mprehtë për shkak të kërkesës më të lartë të trupit për këtë mineral.
Në studim morën pjesë 869 gra shtatzëna (mosha mesatare 28-vjeç) dhe 957 gra me çrregullime hormonale (mosha mesatare 44-vjeç).
Testet laboratorike treguan nivele të ulëta të magnezit në serum (<0.8 mmol/L). Shtatzënat shfaqnin simptoma si presion i lartë gjaku dhe kontraktime të mitrës, ndërsa grupi tjetër përjetonte osteoporozë, sindroma premenstruale dhe probleme të menopauzës.
Pjesëmarrëset morën suplemente të magnezit dhe vitaminës B6 sipas dozës së rekomanduar për moshën dhe peshën e tyre. Pas katër javësh, u vu re përmirësim i dukshëm, veçanërisht tek gratë me mungesë të moderuar të magnezit, duke vërtetuar se përdorimi i suplementeve mund të normalizojë nivelet e tij dhe të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien. /Gazeta Shneta/


