Osteoartriti, një sëmundje që prek nyjet, po bëhet gjithnjë e më e përhapur. Edhe pse ushtrimet fizike ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes, ende nuk ka pasur qartësi se cili lloj ushtrimi është më i përshtatshmi. Një analizë e re tregon se për pacientët me artrozë të gjurit, ushtrimet aerobike mund të jenë më të dobishmet.
Studimi i botuar në revistën “BMJ”, arriti në përfundimin se aktivitetet aerobike ndihmojnë më shumë në uljen e dhimbjes, përmirësimin e funksionit të përgjithshëm, ecjes dhe cilësisë së jetës, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Artroza është një sëmundje degjenerative e nyjeve që ndodh si pasojë e “konsumimit” të kërcit, i cili mbron kockat nga fërkimi. Humbja graduale e këtij indi shkakton dhimbje dhe vështirësi në lëvizje, kryesisht në gjunjë. Dy faktorët kryesorë që po e rrisin përhapjen e saj janë shtimi i obezitetit dhe plakja e popullsisë.
Sipas autorëve, rreth një në tre persona mbi 45-vjeç kanë shenja të artrozës, dhe gjysma e tyre përjetojnë simptoma të rënda në gju. Ndërsa ekzistojnë trajtime të ndryshme, përfshirë medikamentet, ushtrimet duhet të jenë një pjesë thelbësore e planit terapeutik.
Analiza e re përfshiu të dhëna nga 217 studime me mbi 15,000 pjesëmarrës, të gjithë me artrozë të gjurit.
Rezultatet treguan se ushtrimet aerobike ishin më efektive për të reduktuar dhimbjen dhe për të përmirësuar funksionin fizik, krahasuar me format e tjera të aktivitetit.
Ky studim jep një përgjigje më të qartë për pacientët dhe profesionistët e shëndetit: lëvizja e qëndrueshme dhe ushtrimet aerobike janë çelësi për të menaxhuar më mirë artrozën e gjurit. /Gazeta Shneta/


