Çdo prind e di se vjeshta nuk njihet vetëm nga gjethet me ngjyra, por nga kollitjet, teshtimat dhe rrufat e fëmijëve. Ky është sezoni kur viruset e frymëmarrjes – përfshirë të ftohjes dhe gripin – qarkullojnë më shumë, veçanërisht tek më të vegjlit.
Një studim i fundit ka konfirmuar atë që shumica e prindërve e dinë nga përvoja: fëmijët më të vegjël janë bartësit kryesorë të mikrobeve, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studimit të publikuar në revistën “Pediatrics”, fëmijët e moshës 3 deri në 10 – vjeç kishin normat më të larta të pranisë së viruseve krahasuar me nxënësit më të rritur dhe stafin shkollor.
“Fëmijët e vegjël mund të kenë deri në 10 infeksione të frymëmarrjes në vit, ndërsa sistemi i tyre imunitar mëson të njohë viruset,” shpjegon pediatrja amerikane Dr. Jennifer Goldman, bashkautore e studimit.
Nga mbi 800 pjesëmarrës, 92% e fëmijëve të vegjël kishin të paktën një virus gjatë periudhës studimore, kundrejt 86% të nxënësve të shkollës së mesme dhe 77% të atyre të gjimnazit.
Shumica e viruseve ishin ato që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, si rinovirusi (65% e rasteve) dhe koronavirusët sezonal (30%). Virusi që shkakton COVID-19 u gjet tek rreth 15% e pjesëmarrësve.
Ekspertët këshillojnë vaksinimin kundër gripit dhe COVID-19, larjen e shpeshtë të duarve, pastrimin e sipërfaqeve dhe ajrosjen e ambienteve. Kur fëmijët sëmuren, kujdesi mbështetës – pushim, lëngje dhe trajtime kundër etheve – mbetet mënyra më e mirë për shërim. /Gazeta Shneta/


