Statinat njihen për aftësinë e tyre në uljen e kolesterolit, por studime të reja sugjerojnë se ato mund të ofrojnë edhe përfitime për shëndetin e trurit.
Një meta-analizë nga Brazili, e bazuar në të dhënat e 55 studimeve vëzhguese me mbi 7 milionë pacientë, zbuloi se përdorimi i statinave lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës, shkruan burimi Very Well Health përcjell Gazeta Shneta.
“Edhe pse është ende herët për të rekomanduar statinat vetëm për parandalimin e demencës, përfitimet e mundshme të tyre – së bashku me përdorimin e gjerë dhe përballueshmërinë – theksojnë nevojën për kërkime të mëtejshme mbi rolin e tyre mbrojtës ndaj trurit,” tha Fernando Luiz Westphal Filho, autori kryesor i studimit dhe pedagog në Universitetin Federal të Neurologjisë në Brazil.
Sipas gjetjeve, personat që përdorën statina për të paktën tre vjet kishin një reduktim prej 63% të rrezikut për të zhvilluar demencë. Kjo tregon se përdorimi afatgjatë mund të jetë kyç për mbrojtjen njohëse.
Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA), ka theksuar më parë lidhjen mes shëndetit të zemrës dhe trurit, pasi sëmundjet kardiovaskulare dhe hipertensioni mund të dëmtojnë rrjedhjen e gjakut dhe funksionin kognitiv.
Statinat, përmes uljes së kolesterolit dhe përmirësimit të qarkullimit të gjakut, mund të ndihmojnë në pastrimin e pllakave amiloide që lidhen me Alzheimerin.
Gjithashtu, efektet e tyre anti-inflamatore mund të mbrojnë qelizat nervore nga dëmtimi, duke ofruar një potencial të ri në luftën kundër sëmundjeve neurodegjenerative. /Gazeta Shneta/


