Gjinekologia dr. Minire Alilaj është emëruar ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë dr. Alilaj përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka falënderuar kolegët dhe stafin, shkruan Gazeta Shneta.
“Fillimisht dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për secilin punonjës të këtij spitali, pavarësisht pozitës apo detyrës që ka. Ju falënderoj për punën që keni bërë, për punën që po bëni dhe për angazhimin që do të vazhdoni ta tregoni edhe në të ardhmen,” ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se e pranon këtë detyrë me përgjegjësi të plotë, duke e parë si mundësi për të kontribuar në avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimin e kushteve për pacientët e këtij institucioni.
“Në momentin kur mora vendimin ta pranoj këtë përgjegjësi, isha plotësisht e vetëdijshme se kjo pozitë sjell më shumë barrë përgjegjësie se sa privilegje. ,” ka shtuar Alilaj.
Kujtojmë se javën që lamë pas ka dhënë dorëheqje ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij institucioni, dr. Fikret Arfi./Gazeta Shneta/




