Një seri studimesh nga Spitali i Përgjithshëm i Singaporit (SGH) tregon se virusi respirator sincicial (RSV), i cili shpesh ngatërrohet me një të ftohtë të zakonshme, mund të shkaktojë sëmundje po aq të rënda sa gripi dhe COVID-19, si dhe pasoja afatgjata në shëndet.
Në hulumtime që përfshinë mbi 80 mijë pacientë të shtruar, u vu re se rreth 1 në 20 pacientë me RSV vdiqën brenda 28 ditëve nga shtrimi në spital, ndërsa shumë të tjerë kërkuan kujdes intensiv, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Sipas rezultateve, RSV shoqërohet me rrezik më të lartë të komplikimeve kardiake, si çrregullime të ritmit të zemrës, dështim kardiak apo goditje në tru, si dhe probleme afatgjata neurologjike dhe respiratore, që mund të zgjasin deri në 300 ditë pas infeksionit.
“RSV mund të ketë ndikim serioz në shëndetin afatshkurtër dhe afatgjatë. Fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike janë më të rrezikuar,” tha Dr. Ian Wee, nga Departamenti i Sëmundjeve Infektive në SGH.
Mjekët këshillojnë qytetarët që të mbrohen përmes higjienës personale, shmangies së kontakteve kur janë të sëmurë dhe përdorimit të maskës në ambiente të mbyllura, ndërsa personat në rrezik të flasin me mjekun për mundësitë e vaksinimit dhe mbrojtjes kundër RSV.


