Studimet e mëparshme kanë treguar se disa zakone të shëndetshme, si aktiviteti fizik i rregullt, ushqyerja e ekuilibruar, menaxhimi i stresit dhe gjumi i mjaftueshëm, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundjen e Alzheimerit – një formë e demencës që prek kujtesën dhe funksionet njohëse.
Një studim i ri, i botuar së fundmi në revistën “Nature Medicine”, zbulon se të moshuarit mund të ulin rrezikun për Alzheimer edhe duke bërë vetëm 3,000 hapa në ditë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ky zbulim është veçanërisht domethënës për ata që e kanë të vështirë të jenë shumë aktivë fizikisht ose që e kanë të pamundur të arrijnë objektivin prej 10,000 hapash në ditë.
Shkencëtarët raportuan se ky nivel modest aktiviteti ndihmon gjithashtu në ngadalësimin e rënies njohëse te personat e moshuar që kanë nivele të larta të proteinës beta-amilode në tru – një substancë që mendohet se luan rol kyç në zhvillimin e Alzheimerit.
Sipas autorëve të studimit, edhe një sasi e vogël aktiviteti fizik ditor mund të ketë ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të trurit dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës tek të moshuarit.
Kjo gjetje thekson rëndësinë e lëvizjes së përditshme, qoftë edhe në mënyra të thjeshta si ecja, për të mbajtur trurin aktiv dhe për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve neurodegjenerative. /Gazeta Shneta/


