Një vitaminë e zakonshme mund të përgjysmojë rrezikun e një ataku të dytë në zemër, sipas një studimi të ri. Doza të synuara për të rritur nivelin e vitaminës D3 duket se ulin ndjeshëm rrezikun e sulmit të dytë në zemër tek personat që kanë kaluar tashmë një të tillë.
Sipas burimit Euronews Health, vitamina D3, e njohur për rolin e saj në forcimin e kockave dhe muskujve, mund të jetë gjithashtu thelbësore për shëndetin kardiovaskular.
Studimi, i cili përfshiu mbi 600 persona që kishin pësuar së fundmi një atak në zemër, krahasoi ata që morën trajtim standard me ata që morën suplemente për të arritur nivele të vitaminës D mbi 40 nanogramë për mililitër gjaku (ng/mL).
Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve që morën suplemente patën nevojë për një dozë fillestare prej 5,000 njësish ndërkombëtare (IU) — shumë më tepër se rekomandimi i zakonshëm prej 600–800 IU — për të arritur nivelin e synuar.
Pasi nivelet e tyre u mbajtën të qëndrueshme, grupi me vitaminë D3 kishte afro gjysmën e gjasave për të pësuar një atak të dytë në zemër, krahasuar me ata që morën vetëm kujdes standard.
Megjithatë, nuk u vunë re ndryshime domethënëse për sa i përket dështimit të zemrës, goditjes në tru apo vdekshmërisë.
Studiuesja Heidi May nga ‘Intermountain Health’ tha se “trajtime më të personalizuara, me matje dhe rregullime të vazhdueshme të niveleve të vitaminës D, dhanë rezultate të dukshme”.
Asnjë efekt anësor negativ nuk u raportua, por ekspertët paralajmërojnë se marrja e më shumë se 4,000 IU në ditë mund të shkaktojë gurë në veshka ose nivele të larta kalciumi në gjak.
Gjetjet, të paraqitura në takimin e Shoqatës Amerikane të Zemrës, kërkojnë ende konfirmim me studime të mëtejshme. /Gazeta Shneta/


