Një studim i ri neurologjik ka zbuluar se truri i tifozëve të futbollit aktivizohet fuqishëm kur skuadra e tyre e preferuar fiton ose humbet, duke shkaktuar reagime të forta emocionale dhe sjellje impulsive.
Sipas Euronews Health, studiuesit nga Universiteti “San Sebastián” në Kili përdorën rezonancën magnetike funksionale (fMRI) për të analizuar aktivitetin e trurit të 60 burrave, të ndarë sipas nivelit të pasionit: spektatorë, tifozë dhe fanatikë.
Pjesëmarrësve u shfaqën pamje me gola nga skuadra e tyre e preferuar, rivale ose neutrale. Ata që u klasifikuan si “fanatikë” treguan një identifikim ekstrem me ekipin, ku fitorja ose humbja ndikonte drejtpërdrejt në vetëvlerësimin e tyre.
Rezultatet treguan se kur skuadra e tyre shënonte kundër rivalëve, aktivizoheshin zonat e sistemit të shpërblimit në tru – të lidhura zakonisht me ndjesi kënaqësie si ushqimi, marrëdhënimet intime apo drogat.
Por, gjatë humbjes, truri tregonte ulje të aktivitetit në korteksin cingular anterior (dACC), pjesë që kontrollon emocionet dhe konfliktet e brendshme.
Sipas autorit kryesor, profesor Francisco Zamorano, “rivaliteti rikonfiguron ekuilibrin e trurit mes vlerësimit dhe vetëkontrollit brenda sekondash”.
Ai shton se ky mekanizëm është më i theksuar tek personat shumë fanatikë, të cilët e kanë më të vështirë të ruajnë qetësinë kur ndjejnë kërcënim ndaj identitetit të tyre. /Gazeta Shneta/


