Studiues të Klinikës Mayo kanë zhvilluar një model të ri që parashikon rrezikun e rënies kognitive të lidhur me Alzheimerin duke u bazuar në tre faktorë kryesorë: skanimet PET për amiloidin, të dhënat gjenetike dhe moshën.
Ky mjet mund të vlerësojë si rrezikun jetësor, ashtu edhe atë 10-vjeçar për zhvillimin e dëmtimit të lehtë kognitiv (MCI) apo demencës — madje edhe përpara se simptomat të shfaqen, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ndërsa njerëzit plaken, rreziku për rënie kognitive rritet.
Në vitin 2025, rreth 7 milionë amerikanë mbi 65 vjeç do të jetojnë me Alzheimer. Edhe pse sëmundja nis shumë kohë përpara simptomave, lidhja mes biomarkerëve dhe rrezikut të ardhshëm ka qenë e paqartë. Duke analizuar të dhëna 20-vjeçare, studiuesit ndërtuan një model që parashikon rrezikun bazuar në ndryshimet në tru, moshën dhe gjenin APOE4.
Studimi, i botuar në “The Lancet Neurology”, përfshiu mbi 5,100 të rritur mbi 50 vjeç të ndjekur nga viti 2004 deri në 2024. Pjesëmarrësit u klasifikuan në katër faza: pa dëmtim kognitiv, MCI, demencë dhe vdekje. Skanimet PET matën grumbullimin e amiloidit, ndërsa të dhënat gjenetike dhe faktorët si mosha e gjinia ndihmuan në krijimin e modelit.
Gjetjet treguan lidhje të qartë mes niveleve të larta të amiloidit dhe rrezikut më të madh për të zhvilluar MCI ose demencë, si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë jetësor.
Ky mjet i ri mund të ndihmojë mjekët të identifikojnë rrezikun shumë herët, duke krijuar mundësi për ndërhyrje dhe trajtim më të hershëm. /Gazeta Shneta/


