Studimet e viteve të fundit kanë paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet që paraqet konsumimi i madh i ushqimeve ultra të përpunuara (UPF) në shëndetin e njeriut.
Studimet e mëparshme kanë treguar se përfshirja e lartë e UPF-ve në dietë lidhet me rritje të vdekshmërisë dhe ndikim negativ në mikrobiomën e zorrëve, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Shkencëtarët kanë zbuluar gjithashtu lidhje të mundshme midis këtyre ushqimeve dhe një sërë sëmundjesh, si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, depresioni, Alzheimeri dhe disa forma të kancerit.
Një studim i ri, i publikuar në revistën “The Lancet”, bëri të ditur se konsumi i UPF-ve po rritet në mënyrë të vazhdueshme në gjithë botën.
Ky artikull, pjesë e një serie prej tre publikimesh, u bazua në të dhënat e studimeve, rishikimeve dhe meta-analizave të fundit, duke ofruar prova të tjera se konsumimi i lartë i UPF-ve lidhet me rritjen e rrezikut për 12 probleme të rëndësishme shëndetësore.
Artikulli i dytë i serisë thekson nevojën për politika globale që kufizojnë përdorimin e ushqimeve ultra të përpunuara, ndërsa i treti kërkon mobilizimin e sistemit shëndetësor publik për t’iu përgjigjur rritjes së shpejtë të këtyre ushqimeve në dietën botërore.
Në thelb, rezultatet e publikuara theksojnë domosdoshmërinë që individët dhe qeveritë të ndërmarrin hapa të qartë për të kufizuar konsumin e UPF-ve dhe për të promovuar një stil jetese më të shëndetshëm. /Gazeta Shneta/


