Një mjeke në Portugali është arrestuar pasi dyshohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi duke përshkruar ilaçe kundër diabetit për persona që nuk ishin diabetikë, vetëm me qëllimin e humbjes së peshës.
Sipas Policisë Gjyqësore (PJ), endokrinologia Dr. Graça Vargas ka përshkruar mbi 65,000 paketime të barnave si Ozempic, Victoza dhe Trulicity për rreth 1,900 persona, duke u bërë mjekja me numrin më të lartë të përshkrimeve të këtyre medikamenteve në vend, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Skema funksiononte duke falsifikuar të dhënat e pacientëve në sistemin elektronik të recetave, në mënyrë që personat të paraqiteshin si diabetikë dhe të përfitonin subvencione nga shteti. Kjo solli një dëm të vlerësuar deri në 3 milionë euro për shtetin portugez, përmes rimbursimeve deri në 95% të kostos së ilaçeve për pacientët me diabet të tipit 2.
Sipas autoriteteve, që nga viti 2022, këto medikamente kanë vuajtur nga mungesa në treg, ndërsa përdorimi i tyre për humbje peshe është rritur ndjeshëm.
Operacioni policor i koduar “Obélix” identifikoi përfshirjen e dy mjekëve, një avokati dhe një klinike private, të cilat dyshohet se shërbenin si “fasada” për aktivitetin ilegal.
Përveç arrestimit të Vargas, u kryen kontrolle në banesa, zyrat e avokatisë dhe disa kompani të lidhura me skemën. Mjekja e ndaluar do të paraqitet në gjykatë për marrjen në pyetje, ndërsa policia nuk ka dhënë detaje të tjera shtesë. /Gazeta Shneta/


