Protezione Civile “Humint” e Italisë ka dhuruar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës 30 paleta me dezinfektues për duar, me vlerë rreth 80 mijë euro. Donacioni, i cili përfshin edhe mbulimin e të gjitha shpenzimeve të transportit dhe logjistikës, u realizua në kuadër të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”.
Ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se ky donacion është dëshmi e bashkëpunimit afatgjatë mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Ai theksoi se Italia ka mbështetur Kosovën në vazhdimësi, duke përfshirë përmirësimet në kirurgjinë kardiake, trajnime të specializuara, pajisje mjekësore dhe asistencë gjatë pandemisë COVID-19.
“Kjo nismë është pjesë e një programi më të gjerë me të cilin Italia po e ndihmon Kosovën në forcimin e kapaciteteve mjekësore. Jemi të bindur se donacioni i sotëm do të përmirësojë shërbimet shëndetësore dhe do të forcojë lidhjet mes dy vendeve,” deklaroi ambasadori Antonini.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu mirënjohjen për mbështetjen italiane, duke theksuar ndihmën gjatë krizës së COVID-19 si dhe bashkëpunimin shumëvjeçar në fushat e kardiologjisë, mikrobiologjisë dhe kimioterapisë. Ai përmendi se mjekë italianë vazhdojnë të operojnë fëmijë në Kosovë dhe të trajnojnë profesionistët vendorë.
Vitia njoftoi gjithashtu për krijimin e një fondi prej 1 milion eurosh për avancimin profesional të stafit shëndetësor, në kuadër të marrëveshjes së re të bashkëpunimit mes SHSKUK-së dhe partnerëve italianë




