Gazetari dhe kryeredaktori i Gazetës Shneta Bujar Vitija, e ka kritikuar vendimin e Bordit Drejtues të SHSKUK-së për miratimin e kërkesës së Spitalit të Pejës për uljen e numrit të shtretërve. Për këtë kritikë, Spitali i Pejës ka dal me një sqarim ku bëhet e ditur arsyeja e uljes së numrit të shtretërve.
Sipas Vitisë, para se të merrej vendimi për uljen e numrit të shtretërve, do të duhej që të kërkohej rritja e shërbimeve për pacientët.
“Spitali i Pergjithshem i Pejes nga sot do te kete rreth 40 shtreter me pak. Bordi Drejtues i SHSKUK-se para dy viteve ka kerku nga spitalet me rrit shfrytezimin e shtreterve, ne menyre qe me u rrit edhe kostefektivteti. Deri tani nuk ka pas shume ndryshime. Shfrytezueshmeria eshte relativisht e ulet. Ama Spitali i Pejes e ka gjet nje zgjidhje. Ka kerku me ul numrin e shtreterve, ne menyre qe me u rrit perqindja e shfrytezueshmerise, e rrjedhimisht edhe kostefektivteti. Kjo kerkese u miratua sot nga Bordi Drejtues. Ky spital nga sot do t’i kete 40 shtreter me pak. Ama para se te merrej ky vendim, a e pyeti kush menaxhmentin e Spitalit te Pejes: Pse nuk po provoni me rrit numrin e sherbimeve, e pastaj nese prap ka me shume shtreter – me ule numrin e tyre? Me kete logjike nga sot krejt njesite e SHSKUK-se munden me ul numrin e shtreterve, e pastaj me u krenu me kostefektivitetin e larte”, ka shkruar Vitija.
Ndaj këtij postimi ka reaguar Spitali i Pejës. Në këtë reagim janë treguar disa nga shërbimet që janë shtuar në këtë institucion, si dhe për arsyen e kërkesës për uljen e numrit të shtretërve.
Më poshtë e gjeni sqarimin e plotë nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë:
Spitali i Përgjithshëm në Pejë e mirëpret çdo interesim të mediave dhe çmon opininet lidhur me organizimin e shërbimeve shëndetësore në përgjithësi, e në veçanti opinionet për mënyrën se si funksionon institucioni ynë e që ndikojnë drejtpërdrejt në ofrimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët.
Në këtë kuadër, duam të sqarojmë personalisht juve disa çështje të përmendura në një postim tuajin lidhur me zvogëlimin e numrit të shtretërve në Spitalin e Përgjithshënm në Pejë. Po i radhisim këtë në disa pika:
1. Rritja e shërbimeve është prioritet i pandërprerë – dhe veçse ka nisur të ndodhë
Ne pajtohemi plotësisht me konstatimin tuaj në postim se rritja e shërbimeve është rruga më e drejtë dhe më e qëndrueshme për të rritur shfrytëzueshmërinë dhe eficiencën. Për këtë arsye, gjatë vitit 2025 Spitali i Pejës ka nisur dhe po zgjerohet me shërbime të reja të rëndësishme, duke përfshirë:
Litotripsinë (thyerjen e gurëve në veshka) – shërbim që më herët qytetarët e Pejës e kërkonin jashtë rajonit.
Intervenimet laparoskopike në veshkë – një standard modern kirurgjik që redukton kohën e rikuperimit dhe rrit cilësinë e trajtimit.
Kryerjen e EMG-së – shërbim diagnostik i domosdoshëm, i shtuar për herë të parë në institucionin tonë.
Dyfishimin e kapaciteteve për gastroskopi dhe kolonoskopi – duke ulur pritjet dhe rritur volumin e diagnostikimeve.
Analizat e gjendrës tiroide – duke i mundësuar qytetarëve që t’i marrin këto ekzaminime brenda Spitalit të Pejës, pa u drejtuar në institucione të tjera.
Analizat e lëngut cerebrospinal – që do të praktikohet për herë të parë e që është për sëmundjen e menengjitit.
Këto shërbime janë vetëm fillimi i një procesi më të gjerë modernizimi, të planifikuar dhe të bazuar në nevojat reale të pacientëve.
2. Zvogëlimi i numrit të shtretërve është vendim i mbështetur në analiza shumëvjeçare
Propozimi ynë dhe vendimi i miratuar nga Bordi Drejtues nuk ka ardhur siç e theksoni ju për kosto –efektivtetin, por si masa racionale dhe profesionale, e bazuar në këta faktorë kryesorë:
Shfrytëzueshmëria e ulët e shtretërve ndër vite, e cila ka qëndruar nën nivelet e synuara, por që ka qenë tregues real i numrit të pacientëve.
Rënia e popullsisë në rajonin e Pejës dhe ndryshimi i strukturës demografike – më pak popullatë e moshuar nënkupton kërkesë më të ulët për hospitalizim.
Rritja e eficiensës së brendshme, përfshirë menaxhimin e stafit, kohën e pastrimit, përdorimin e energjisë dhe optimizimin e logjistikës.
Ulja e kostove operative, falë shpërndarjes më efikase të personelit dhe reduktimit të shtretërve në dhoma, që rrit komoditetin dhe cilësinë e kujdesit.
Riorganizim i shërbimeve dhe planifikim më strategjik, që mundëson investime të targetuara në sektorët ku ka vërtet nevojë dhe një monitorim më të mirë të burimeve.
Këto ndryshime nuk e ulin cilësinë e shërbimeve – përkundrazi, krijojnë hapësirë për ta ngritur atë.
3. Spitali i Pejës nuk zvogëlon shërbime – i zgjeron ato
Zvogëlimi i shtretërve nuk është as qëllim në vete, as zëvendësim i shërbimeve të reja. Është pjesë e një procesi transformues, të udhëhequr nga synimi për:
rritjen e efikasitetit institucional,
përmirësimin e cilësisë së kujdesit,
përdorimin racional të resurseve publike,
adaptimin me trendet bashkëkohore të kujdesit spitalor, ku theksi zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt shërbimeve ambulantore dhe intervenimeve ditore.
Duam të theksojmë se shtretërit nuk do të largohen nga hapësirat e Spitalit dhe në secilën rrethan eventuale ata do të rikthehen për pacientë.
4. Spitali i Pejës do të vazhdojë zgjerimin e kapaciteteve
Plani ynë parasheh shtim të mëtejmë të shërbimeve moderne, investime në pajisje, rritje të performancës dhe forcim të rolit të Spitalit të Pejës si qendra kryesore rajonale e kujdesit shëndetësor.
Përfundim:
Riorganizimi i shtretërve është bërë me analizë profesionale dhe në funksion të përmirësimit të cilësisë së trajtimit, jo për të “krijuar kosto-efektivitet artificial”.
Në të njëjtën kohë, Spitali i Pejës po rrit realisht shërbimet, po modernizohet dhe po i sjell qytetarëve të Pejës mundësi të reja diagnoze dhe trajtimi që më parë nuk ofroheshin.
Në çdo hap, qëllimi ynë mbetet i njëjtë: më shumë shërbime cilësore, më shumë efikasitet, më shumë kujdes për pacientin.




