Tatuazhet, përveçse zbukurojnë lëkurën, mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si trupi lufton sëmundjet, sipas një studimi të ri zviceran.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ajo që duket si një procedurë vetëm estetike mund të ketë efekte në përgjigjen imunitare të trupit.
Studimi, i realizuar nga Instituti për Kërkime në Biomedicinë në Università della Svizzera italiana (USI), shqyrtoi toksicitetin e bojave të tatuazheve, duke u fokusuar në tre ngjyrat më të përdorura: e zezë, e kuqe dhe e gjelbër.
Rezultatet treguan se pigmenti i tatuazheve nuk qëndron vetëm në lëkurë, por mund të përhapet në trup dhe të grumbullohet në sistemin imunitar për vite me radhë, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Brenda këtyre indeve, bojrat shkaktojnë vdekjen e qelizave imunitare, duke shkaktuar inflamacion dhe duke dobësuar mbrojtjen natyrale të trupit. Ky efekt ishte më i fuqishëm për tatuazhet me bojë të kuqe dhe të zezë.
Në testet me minj, pigmentet u përhapën shpejt në nyjet limfatike dhe u grumbulluan për dy muaj. Pas tatuazheve, reagimi imunitar ndaj vaksinës kundër COVID-19 u dobësua, ndërsa përgjigja ndaj vaksinës kundër gripit u përmirësua. Shkencëtarët theksuan se këto gjetje duhet të konfirmohen edhe tek njerëzit dhe me lloje të tjera vaksinash.
Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) po studion gjithashtu efektet afatgjata të tatuazheve, përfshirë lidhjet me sistemin imunitar, limfomat dhe disa kancere të tjera./Gazeta Shneta/


