Me uljen e temperaturave po rriten edhe viroza të ndryshme tek fëmijët dhe të rriturit. Këtë javë, në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, Dr. Rushit Ismaili specialist i mjekësisë familjare i cili shpjegon pse virozat përhapen më shpejt në këtë periudhë dhe cilat janë masat më të mira të parandalimit.
Intervista e plotë:
Shneta: Si ndikon ulja e temperaturave tek rritja e virozave tek fëmijët dhe të rriturit?
Dr. Ismaili: Ulja e temperaturave shton qëndrimin në ambiente të mbyllura dhe tharjen e mukozave, duke e bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe duke lehtësuar përhapjen e viruseve.
A ka rritje të rasteve të virozave këtë vit krahasuar me periudhat e mëparshme?
Dr. Ismaili: Këtë vit ka pasur më pak rritje të virozave sezonale falë vaksinimit më të mirë kundër gripit dhe kujdesit më të madh për higjienën dhe ajrosjen.
Cilat janë simptomat më të zakonshme të virozave sezonale që pacientët duhet të njohin herët?
Dr. Ismaili: Temperaturë, kollë, shkuarje hundesh, dhimbje fyti, lodhje dhe dhimbje muskujsh.
A ka ndonjë grupmoshë që rrezikohet më shumë nga komplikimet e virozave gjatë dimrit?
Dr. Ismaili: Fëmijët nën 5 vjeç, të moshuarit, grate shtatzena, personat me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobët.
Pse virozat sezonale përhapen më shpejt në ambiente të mbyllura?
Dr. Ismaili: Ajri nuk qarkullon, njerëzit janë më afër dhe viruset mbeten më gjatë në ajër e sipërfaqe.
A është normale që disa pacientë të përjetojnë viroza të vazhdueshme për disa javë me radhë?
Dr. Ismaili: Po, sidomos te fëmijët, shpesh janë disa viroza të njëpasnjëshme, jo një infeksion i vetëm i gjatë.
Cilat janë shenjat që tregojnë se një virozë e zakonshme është duke u komplikuar në infeksion bakterial?
Dr. Ismaili: Temperaturë e lartë që rikthehet, dhimbje e fortë veshi, fyti me qelb, kollë >3 javë, vështirësi në frymëmarrje.
Si dallohen virozat nga gripi?
Dr. Ismaili: Virozat fillojnë gradualisht dhe janë më të lehta; gripi fillon papritur me temperaturë të lartë dhe lodhje të rëndë.
Cilat janë masat më efektive për parandalimin e virozave gjatë dimrit?
Dr. Ismaili: Larja e duarve, ajrosja, higjiena respiratore, ushqimi i shëndetshëm, gjumi dhe vaksinimi kundër gripit.
Kur duhet të përdorim ilaçe kundër simptomave dhe kur duhet të shkojmë urgjent te mjeku?
Dr. Ismaili: Ilaçet simptomatike përdoren për temperaturë e dhimbje; urgjenca kërkohet në vështirësi frymëmarrjeje, temperaturë të lartë e vazhdueshme, dehidratim ose përgjumje të pazakonshme.
Çfarë këshillash i jepni prindërve për fëmijët që shfaqin viroza të shpeshta?
Dr. Ismaili: Ushqim i shëndetshëm, gjumë, hidratim, ajrosje e shtëpisë dhe shmangie e antibiotikëve pa recetë./Gazeta Shneta/


