Për herë të parë në Kosovë është mbajtur “Kosova Health Forum 2025”, ngjarje kjo e dedikuar dialogut, inovacionit dhe reformave në sektorin e shëndetësisë.
Forumi, i organizuar nga Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës, mblodhi aktorë kyç nga sektori publik dhe ai privat me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe avancimit të transformimit digjital, shkruan Gazeta Shneta.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe private është thelbësor për përballimin e sfidave në sistemin shëndetësor.
“Shëndetësia është njëra nga fushat ku më së shumti kërkohet bashkëpunim, sepse asnjë institucion publik apo privat nuk mund t’i adresojë sfidat i vetëm. Reformat në shëndetësi kërkojnë bashkëpunim të sinqertë, dialog të hapur dhe angazhim të përbashkëta. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për integrim të kapaciteteve dhe jo ndarje të tyre, që sistemi shëndetësor publik të jetë komplementar me sektorin privat. MSH e ka aprovuar Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030, e cila do të mundësojë kalimin e sistemit tonë nga niveli i mirëmbajtjes në një sistem shëndetësor në zhvillim, duke ndryshuar format e financimit përmes funksionalizimit të skemës së sigurimeve të detyrueshme shëndetësore, integrimit të shërbimeve dhe rritjes së transparencës e llogaridhënies, me qëllim rritjen e vlerësimit të qytetarëve për sistemin shëndetësor”, tha Berisha.
Tutje, Berisha tha se digjitalizimi është prioritet i domosdoshëm.
“Përshpejtimi i transformimit digjital në Kosovë nuk është opsion, por domosdoshmëri” u shpreh tutje Berisha.
Në emër të LuxDev, Giovanni Tordini e vlerësoi forumit si një hap historik që synon të krijojë platformën kryesore për zhvillimin e sektorit shëndetësor në Kosovë.
“Forumi i Shëndetit në Kosovë është themeluar me një mision të qartë dhe ambicioz, të krijojë një hapësirë dinamike ku politikbërësit, profesionistët shëndetësorë, donatorët, inovatorët dhe partnerët e sektorit privat mund të takohen, të shkëmbejnë ide dhe të punojnë së bashku drejt reformave domethënëse në shëndetësi”, tha ai.
Tordini shtoi se vizioni i forumit synon pozicionimin e Kosovës si qendër rajonale për dialog dhe inovacion në shëndetësi.
Floren Kavaja, kryesues i Kuvendit të ASPKS, nënvizoi rolin e spitaleve private në avancimin e sistemit të përgjithshëm shëndetësor.
“Ky forum po zhvillohet në një moment vendimtar për të ardhmen e shëndetësisë në vendin tonë dhe na bashkon të gjithë neve rreth një qëllimi të përbashkët: të ndërtojmë një sistem shëndetësor më të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për çdo qytetar të Kosovës. Është një sinjal i qartë se shëndetësia e Kosovës është prioritet jo vetëm kombëtar, por edhe një fushë me rëndësi për partnerët tanë ndërkombëtarë. ASPKS përfaqëson zërin e 30 spitaleve private të Kosovës, një organizatë e pavarur, profesionale dhe e përkushtuar për të mbrojtur interesat e anëtarëve të saj. Spitalet private nuk janë vetëm pjesë e sistemit, por edhe një shtyllë e rëndësishme etike. Ato sjellin investime konkrete në infrastrukturë moderne, teknologji të avancuar diagnostike-terapeutike, modele efikase menaxhimi dhe, mbi të gjitha, rrisin mundësitë dhe alternativat e qytetarëve për shërbime cilësore”, u shpreh Kavaja.
Ndërsa Astrit Panxha, CEO i Kosova Business Forum, theksoi se perceptimi për Kosovën shpesh nuk reflekton realitetin.
“Shpesh po krijohet perceptimi se në Kosovë nuk funksionon asgjë. Kosova shihet si burim i lajmeve të këqija, dhe ne jemi munduar të organizojmë evente që tregojnë se në Kosovë kanë avancuar shumë procese. Kosova më nuk është importuese e stabilitetit, por realisht eksporton stabilitet dhe është një vend i mirë dhe i sigurt për të bërë biznes”, tha ai./Gazeta Shneta/




