Një raport i ri i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) nxjerr në pah barrën e madhe që sëmundjet kardiovaskulare (CVD) ushtrojnë në Bashkimin Evropian.
Këto sëmundje, që përfshijnë sulmet në zemër, goditjet në tru dhe dështimin e zemrës, mbeten shkaku kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë, duke prekur rreth 62 milion njerëz dhe duke shkaktuar 1.7 milion vdekje çdo vit.
Raporti tregon se faktorët metabolikë si hipertensioni, niveli i lartë i sheqerit dhe kolesterolit përbëjnë rreth 68% të vdekjeve nga CVD në BE, ndërsa faktorët e sjelljes, përfshirë pirjen e duhanit, dietën jo të shëndetshme dhe konsumimin e dëmshëm të alkoolit, kontribuojnë me 37%.
Sëmundjet kardiovaskulare ndikojnë jo vetëm në jetëgjatësinë, por edhe në cilësinë e jetës së pacientëve, duke shkaktuar lodhje, vështirësi në lëvizje, ankth dhe frikë nga ndodhitë e rënda kardiake.
Dallime të mëdha vërehen midis vendeve evropiane.
Gjatë periudhës 2012–2022, vdekshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare ra mesatarisht 20% tek meshkujt dhe 22% tek femrat.
Franca, Danimarka dhe Spanja raportuan nën 220 vdekje për 100,000 banorë, ndërsa Bullgaria, Rumania dhe Letonia tejkaluan 800 vdekje për 100,000 banorë.
Raporti gjithashtu nënvizon koston ekonomike të madhe të CVD: rreth 282 miliardë euro çdo vit në BE, ose 2% e prodhimit të brendshëm bruto, për shkak të shpenzimeve direkte shëndetësore, humbjeve të produktivitetit dhe kujdesit informal.
Për t’u përballur me këtë krizë shëndetësore dhe ekonomike, Komisioni Evropian do të prezantojë së shpejti “Plani Safe Hearts”, një kornizë politike për të mbështetur shtetet anëtare në përmirësimin e shëndetit kardiovaskular dhe parandalimin e sëmundjeve./Gazeta Shneta/


