Qeveritë evropiane që po përballen me rënie të popullsisë zakonisht fokusohen në politika që nxisin lindjet, por një studim i ri tregon se kjo qasje shpesh është më pak efektive sesa investimi në shëndetin publik dhe ulja e vdekjeve të parandalueshme.
Hulumtimi, i realizuar nga një ekip ndërkombëtar demografësh dhe i udhëhequr nga Instituti Ndërkombëtar për Analiza të Sistemeve të Aplikuara (IIASA), analizoi trendet demografike në 80 vende me fertilitet të ulët.
Nga këto, 28 vende – kryesisht në Evropën Lindore dhe Juglindore – u identifikuan si zona ku ulja e mortalitetit, veçanërisht vdekjeve të parakohshme, do ta ngadalësonte rënien e popullsisë më shumë sesa rritja e lindshmërisë.
Sipas studimit, 10 vendet që pritet të kenë rënien më të madhe relative të popullsisë deri në vitin 2050 janë të gjitha në Evropë, përfshirë Bullgarinë, Ukrainën, Letoninë dhe Rusinë.
Studiuesit krahasuan dy skenarë ekstremë: rritjen e menjëhershme të normës së lindshmërisë në nivelin e zëvendësimit (2.1 fëmijë për grua) dhe përmirësimin e sistemeve shëndetësore deri në nivelet e Japonisë, e cila ka normat më të ulëta të vdekshmërisë në botë.
Rezultatet tregojnë se për 13 vende evropiane që pritet të humbasin mbi 5% të popullsisë deri në vitin 2050, ulja e mortalitetit do të kishte ndikim dukshëm më të madh.
Pa ndërhyrje, këto vende pritet të humbasin rreth 33.8 milionë banorë deri në vitin 2050. Rritja e lindshmërisë do ta ulte këtë humbje në 14.1 milionë, ndërsa arritja e niveleve japoneze të mortalitetit do ta reduktonte rënien në vetëm 1.7 milionë banorë.
Autorët theksojnë se politikat pronataliste shpesh nuk japin rezultate afatgjata dhe mund të ngrenë edhe shqetësime etike, ndërsa investimi në shëndetin publik sjell përfitime të menjëhershme dhe respekton të drejtat e njeriut.
Ata rekomandojnë forcimin e sistemeve shëndetësore, parandalimin e sëmundjeve dhe ndërhyrje të synuara, veçanërisht për uljen e mortalitetit të lartë te meshkujt në Evropën Lindore./Gazeta Shneta/


