Mjekët britanikë po bëjnë thirrje për masa më të rrepta ndaj pijeve energjike, pasi një burrë rreth të 50-ave pësoi goditje në tru pasi konsumonte deri në tetë kanaçe në ditë. Rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi rreziqet kardiovaskulare që këto pije mund të paraqesin.
Pacienti, i përshkruar si “më parë i shëndetshëm dhe aktiv”, nuk pinte alkool, nuk ishte duhanpirës dhe nuk përdorte droga. Ai u paraqit në spital pasi përjetoi mpirje të papritur në anën e majtë të trupit, vështirësi në ekuilibër, ecje, gëlltitje dhe të folur – simptoma tipike të goditjes në tru.
Mjekët konstatuan se ai kishte pësuar një goditje në talamus, pjesë e trurit që lidhet me lëvizjen dhe ndjeshmërinë, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse në dukje ishte i shëndetshëm, tensioni i tij i gjakut ishte jashtëzakonisht i lartë: 254/150 mm Hg.
Ilaçet për uljen e tensionit nuk patën efekt të qëndrueshëm, derisa mjekët zbuluan se ai konsumonte mesatarisht tetë pije energjike në ditë. Secila përmbante rreth 160 mg kafeinë, duke e çuar marrjen ditore në 1,280 mg – më shumë se trefishi i kufirit të rekomanduar prej 400 mg.
Pasi pacienti ndaloi konsumimin e pijeve energjike, tensioni i gjakut iu normalizua dhe nuk pati më nevojë për medikamente.
Mjekët theksojnë se, ndonëse ky është vetëm një rast, konsumimi i shpeshtë i pijeve energjike mund të rrisë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe goditje në tru.
Ata rekomandojnë më shumë ndërgjegjësim dhe këshillojnë mjekët e tjerë të pyesin për konsumimin e këtyre pijeve tek pacientët me tension të pashpjeguar. /Gazeta Shneta/


