Një hetim i madh i udhëhequr nga Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka zbuluar se një donator sperme, i cili pa dijeninë e tij mbante një mutacion të rrallë gjenetik që shkakton kancer, ka sjellë në jetë pothuajse 200 fëmijë në mbarë Evropën. Donatori, i cili dukej plotësisht i shëndetshëm dhe kishte kaluar të gjitha kontrollet rutinë, dhuroi spermë për rreth 17 vite, kryesisht gjatë kohës kur ishte student.
Rreth 20 për qind e spermës së tij mbante një mutacion në gjenin TP53, i cili normalisht parandalon shndërrimin e qelizave në kancerogjene. Fëmijët që trashëgojnë këtë mutacion zhvillojnë sindromën Li-Fraumeni, një çrregullim i rrallë që u jep deri në 90 për qind rrezik për t’u prekur nga kanceri gjatë jetës.
Disa prej fëmijëve të lindur nga ky donator kanë ndërruar tashmë jetë, ndërsa shumë të tjerë pritet të përballen me sëmundjen në të ardhmen, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Alarmi u ngrit kur mjekët identifikuan 23 fëmijë me këtë mutacion, dhjetë prej të cilëve ishin diagnostikuar me kancer. Hetimi zbuloi se sperma ishte përdorur për të konceptuar të paktën 197 fëmijë në 14 shtete evropiane.
Banka Evropiane Daneze e Spermës pranoi se sperma ishte përdorur më shumë seç duhej dhe njoftoi se donatori u bllokua menjëherë sapo u zbulua mutacioni.
Ekspertët e konsiderojnë rastin si një kombinim të jashtëzakonshëm rastësie dhe dështimi rregullator, duke theksuar dallimet e mëdha në rregullat e dhurimit të spermës mes vendeve evropiane.
Ky rast ka rihapur debatin mbi kufijtë e përdorimit të donatorëve dhe nevojën për mbikëqyrje më të fortë ndërkombëtare. /Gazeta Shneta/


