Një studim global sugjeron se përqendrimi te gjumi mund të jetë më i dobishëm për shëndetin e përgjithshëm sesa ushtrimi fizik, pasi shumica e njerëzve nuk arrijnë të përmbushin nivelet e rekomanduara as të pushimit dhe as të aktivitetit.
Studimi i botuar në revistën “Communications Medicine”, tregoi se shumica e njerëzve nuk arrijnë të flenë shtatë deri në nëntë orë në natë dhe të ecin të paktën 8,000 hapa në ditë.
Vetëm rreth 13% e pjesëmarrësve globalisht arrinin të përmbushin të dy kriteret në mënyrë të vazhdueshme, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
“Vetëm një pjesë shumë e vogël e njerëzve arrin të përmbushë nivelet e rekomanduara të gjumit dhe aktivitetit çdo ditë,” tha Josh Fitton, autori kryesor dhe studiues i shëndetit të gjumit në Universitetin Flinders në Australi.
Ai shtoi se gjetjet ngrejnë pyetje mbi rekomandimet shëndetësore të zakonshme, duke theksuar vështirësitë që hasin njerëzit për të ruajtur një stil jetese aktiv dhe një gjumë të shëndetshëm.
Studimi analizoi të dhëna nga pajisjet për ndjekjen e praktikave të gjumit dhe aktivitetit të mbledhura mbi 3.5 vjet nga më shumë se 70,000 pjesëmarrës.
Rreth 17% e tyre flinin më pak se shtatë orë dhe ecnin më pak se 5,000 hapa në ditë, duke u vendosur në kategorinë “sedentare”, e cila lidhet me rreziqe të larta për sëmundje kronike, shtim në peshë dhe sfida mendore.
Hulumtuesit zbuluan se gjumi i mjaftueshëm lidhet me aktivitet më të lartë fizik: të flenë rreth gjashtë deri shtatë orë në natë shoqërohej me më shumë hapa ditën pasardhëse.
Ata rekomandojnë që nëse koha është e kufizuar, prioritet të jepet gjumit përpara ushtrimeve.
Ndryshimet e thjeshta, si zvogëlimi i përdorimit të ekranit para gjumit, një orar i qëndrueshëm gjumi dhe krijimi i një ambienti të qetë për gjumë, mund të bëjnë një ndryshim të madh. /Gazeta Shneta/


