Bashkimi Evropian ka prezantuar një plan të ri për bioteknologjinë, i cili synon të përshpejtojë zhvillimin dhe futjen në treg të produkteve bioteknologjike, duke rritur konkurrencën e BE-së ndaj Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Plani, i quajtur Biotech Act, synon të mbajë kërkimin, zhvillimin klinik dhe prodhimin brenda Bashkimit Evropian dhe të krijojë një mjedis industrial, financiar dhe rregullator që lehtëson hyrjen e produkteve inovative në treg.
Sipas Komisionit Evropian, BE-ja mbetet prapa rajoneve të tjera globale në kthimin e shkencës dhe inovacionit në produkte të qëndrueshme komercialisht dhe prodhim masiv.
Plani parashikon masa të ndryshme, përfshirë:
Financim më të madh për kompanitë bioteknologjike, me synim mobilizimin e rreth 40 miliardë eurove në vit për dhjetë vitet e ardhshme.
Përshpejtim dhe thjeshtim të procedurave për provat klinike, veçanërisht për terapitë gjenetike, qelizore dhe të indeve (ATMP).
Zgjerim të mbrojtjes së pronës intelektuale, duke ofruar 12 muaj shtesë për disa barna inovative.
Krijimin e “sandbox”-eve rregullatore për testimin e produkteve të reja nën kushte të kontrolluara.
Etiketim i projekteve strategjike që forcojnë kapacitetet e BE-së në gjithë zinxhirin e vlerës, nga kërkimi deri te prodhimi.
Komisioneri për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi, ka deklaruar se plani synon të bëjë Evropën një qendër globale në bioteknologji duke mbështetur inovacionin dhe infrastrukturën industriale.


