Një studim i ri tregon se kushërimi gjenetik mund të ndikojë në mënyrë të ngjashme disa çrregullime të ndryshme mendore, përfshirë skizofreninë dhe çrregullimin bipolar.
Hulumtuesit nga Universiteti i Kolorados në Boulder analizuan të dhënat gjenetike të më shumë se 1 milion personave me një nga 14 çrregullimet më të zakonshme mendore dhe i krahasuan me të dhënat e 5 milion njerëzve pa probleme të shëndetit mendor, shkruan HealthDay përcjell Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se shumica e ndryshimeve gjenetike mund të përfshihen në pesë kategori kryesore:
Çrregullime me tipare kompulsive si anoreksia, Tourette dhe çrregullimi obsesiv-kompulsiv
Çrregullime “internalizuese” si depresioni, ankthi dhe PTSD
Çrregullime të përdorimit të substancave
Çrregullime neurozhvillimore si autizmi dhe ADHD
Çrregullimi bipolar dhe skizofrenia
Studimi zbuloi se rreth 70% e sinjalit gjenetik të lidhur me skizofreninë lidhet gjithashtu me çrregullimin bipolar, duke treguar se këto dy çrregullime janë më të ngjashme gjenetikisht sesa mjekësia historikisht i ka konsideruar.
“Hulumtimi ofron prova se disa sëmundje që sot i quajmë të ndryshme mund të nxiten nga të njëjtët mekanizma biologjikë,” tha Andrew Grotzinger, profesor i asociuar i psikologjisë dhe neuroshkencës.
Rezultatet mund të ndihmojnë mjekët të diagnostikojnë më mirë çrregullimet mendore dhe të zhvillojnë trajtime më të sakta, duke synuar faktorët gjenetikë të përbashkët në vend të trajtimeve të ndara për çdo çrregullim.
Dr. Jordan Smoller, drejtor i Qendrës për Psikiatri Precize në Mass General Brigham, shtoi se “ky studim jep tregues të vlefshëm për të kuptuar dhe trajtuar sëmundjet mendore me më shumë saktësi”.


