Prej dekadash, të dhënat shkencore sugjerojnë se triliona mikroorganizma që jetojnë në zorrët tona, të njohura si mikrobioma, luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e trurit. Tashmë, kërkimet e reja hedhin dritë mbi një ndikim edhe më të drejtpërdrejtë: gjendjen tonë shpirtërore nga dita në ditë.
Një studim i botuar së fundmi në revistën shkencore “npj Mental Health Research” zbuloi se pjesëmarrësit që morën suplemente probiotike për një periudhë njëmujore shfaqën përmirësim të ndjeshëm të disponimit. Sipas raportimit të Health News, rezultatet tregojnë se mikrobet e gjalla mund të kenë ndikim pozitiv në mirëqenien emocionale, transmeton Gazeta Shneta.
Probiotikët janë shtame të mikroorganizmave të gjallë që, kur konsumohen në sasi të mjaftueshme, ofrojnë përfitime shëndetësore.
Ato gjenden zakonisht në formë kapsulash apo pilulash, por edhe në ushqime të fermentuara si kosi.
Ushqimi që konsumojmë luan rol kyç në përcaktimin e mikroorganizmave që zhvillohen në zorrë dhe funksioneve që ata kryejnë.
Edhe pse provat shkencore mbi ndikimin e probiotikëve në shëndetin e trurit janë ende të përziera, studiuesit theksojnë se blloqet ndërtuese të neurotransmetuesve, mesazherët kimikë të trurit, sintetizohen kryesisht në zorrë.
Sipas Rebecca Slykerman, nga Universiteti i Auckland, lidhja zorrë–tru përfshin edhe nervin vagus, përgjigjet imune dhe ato ndaj stresit.
Megjithëse ende nuk është plotësisht e qartë nëse një zorrë e shëndetshme garanton edhe humor më të mirë, gjithnjë e më shumë kërkime i lidhin probiotikët dhe prebiotikët me shëndet mendor më të mirë, humor më të qëndrueshëm dhe funksion njohës të përmirësuar. /Gazeta Shneta/


