Telekonsultimet mjekësore, të cilat shënuan kulmin gjatë pandemisë së COVID-19, vazhdojnë të mbeten dukshëm më të larta në Evropë krahasuar me periudhën para pandemisë.
Kështu thuhet në raportin Health at a Glance 2025 të OECD-së, raporton Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Sipas raportit, në vitin 2019 mesatarja ishte 0.5 telekonsulta për pacient në vit, ndërsa në vitin 2021 kjo shifër u rrit në 1.3. Deri në vitin 2023, norma u stabilizua në rreth 1 telekonsultë për pacient në vit, duke mbetur ende mbi nivelet para pandemisë.
Rritja më e madhe është shënuar në Spanjë dhe Lituani. Në Spanjë, telekonsultimet u rritën nga 0.3 në 1.7 për person, ndërsa në Lituani nga 0.1 në 1.2. Rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe Kroacia, Portugalia, Sllovenia dhe Norvegjia.
Në disa vende evropiane, më shumë se 20 për qind e konsultimeve mjekësore tashmë realizohen në distancë. Estonia kryeson me 36 për qind, e ndjekur nga Portugalia, Suedia, Danimarka dhe Spanja.
Mesatarja për 22 vendet e OECD-së është 13 për qind.
Ndërkohë, në vendet më të populluara të Evropës, Gjermania dhe Franca, telekonsultimet mbeten të ulëta, përkatësisht 1 dhe 4 për qind.
Ekspertët theksojnë se rritja e telekonsultimeve është rezultat i disa faktorëve, përfshirë ndikimin e pandemisë, politikat shëndetësore, infrastruktura digjitale, rimbursimi financiar dhe gatishmëria e profesionistëve dhe pacientëve për të përdorur teknologjinë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, vendet me strategji të qarta digjitale, sisteme të zhvilluara shëndetësore elektronike dhe mbështetje financiare kanë arritur ta bëjnë telekonsultimin pjesë të qëndrueshme të sistemit shëndetësor./Gazeta Shneta/


