Kanceri në disa raste mund të rikthehet edhe vite pas përfundimit të trajtimit fillestar, bëjnë të ditur studiuesit. Sipas tyre, kjo lidhet me qeliza kancerogjene që mbeten në organizëm në gjendje joaktive dhe nuk zbulohen gjatë trajtimeve standarde.
Hulumtimet tregojnë se këto qeliza mund të shpërndahen nga tumori fillestar drejt pjesëve të tjera të trupit, ku qëndrojnë për një kohë të gjatë pa shkaktuar simptoma.
Me kalimin e viteve, në rrethana të caktuara, ato mund të aktivizohen dhe të shkaktojnë rikthimin e sëmundjes., shkruan Nature përcjell Gazeta Shneta
Sipas të dhënave nga studimet, një përqindje e konsiderueshme e pacientëve të trajtuar nga kanceri i gjirit, prostatës, mushkërive dhe zorrës së trashë mund të bartin këto qeliza pa e ditur. Aktivizimi i tyre lidhet me faktorë të ndryshëm, përfshirë infeksionet, ndryshimet në sistemin imunitar, procesin e plakjes dhe gjendjen e përgjithshme shëndetësore.
Aktualisht, disa studime klinike janë duke u zhvilluar për të identifikuar dhe trajtuar këto qeliza përpara se ato të shumohen.
Qëllimi i këtyre hulumtimeve është zvogëlimi i rrezikut të rikthimit të kancerit pas trajtimit.
Mjekët rekomandojnë që pacientët e trajtuar nga kanceri të vazhdojnë me kontrolle të rregullta shëndetësore edhe pas përfundimit të terapisë, pasi zbulimi i hershëm i çdo ndryshimi mbetet thelbësor për trajtim të suksesshëm./Gazeta Shneta/


