Depresioni në moshën e tretë mund të mos jetë vetëm një gjendje emocionale, por edhe një shenjë e hershme paralajmëruese për sëmundje serioze neurodegjenerative. Një studim i ri sugjeron se depresioni shfaqet më herët dhe më shpesh te të moshuarit që më vonë diagnostikohen me sëmundjen e Parkinsonit ose me demencë me trupa Lewy.
Sipas studimit, të publikuar në revistën “General Psychiatry”, rreziku i depresionit rritet gradualisht tek këta persona dhe arrin kulmin rreth tre vjet përpara se të vendoset diagnoza e Parkinsonit apo demencës. Edhe pas diagnostikimit, këta pacientë vazhdojnë të kenë nivele më të larta depresioni krahasuar me persona që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 17,700 persona në Danimarkë me Parkinson ose demencë me trupa Lewy dhe i krahasuan me të moshuar që kishin sëmundje kronike si artriti reumatoid, sëmundjet e veshkave apo osteoporoza.
Rezultatet treguan se rritja e depresionit nuk mund të shpjegohet vetëm si reagim emocional ndaj një sëmundjeje afatgjate, pasi këto gjendje të tjera nuk shfaqnin të njëjtin model.
Veçanërisht e theksuar ishte lidhja me demencën me trupa Lewy, ku nivelet e depresionit ishin edhe më të larta se te Parkinsoni. Studiuesit arrijnë në përfundimin se depresioni mund të jetë një manifestim i hershëm i ndryshimeve në tru që çojnë drejt këtyre sëmundjeve.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë që çdo person me depresion do të zhvillojë domosdoshmërisht Parkinson apo demencë. Megjithatë, depresioni mund të shërbejë si një “sinjal alarmi” për mjekët, duke nënvizuar nevojën për vëmendje më të madhe dhe kontroll të rregullt të shëndetit mendor te të moshuarit. /Gazeta Shneta/


