Konservuesit ushqimorë përdoren gjerësisht për të zgjatur afatin e ruajtjes së produkteve, por gjithnjë e më shumë studime po ngrenë shqetësime mbi ndikimin e tyre në shëndet. Dy kërkime të fundit shkencore sugjerojnë se disa konservues lidhen me rritjen e rrezikut për diabet të tipit 2 dhe disa forma kanceri.
Një studim i publikuar në revistën “Nature Communications”, identifikoi 12 konservues ushqimorë që shoqëroheshin me incidencë më të lartë të diabetit të tipit 2, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ky hulumtim u bazua në të dhënat e studimit të madh francez “NutriNet-Santé”, me mbi 108 mijë pjesëmarrës, të ndjekur mesatarisht për rreth 8 vite. Gjatë periudhës së ndjekjes u regjistruan mbi 1,100 raste të reja diabeti.
Studiuesit analizuan 17 konservues që konsumoheshin nga të paktën 10% e pjesëmarrësve, duke vërejtur se një pjesë e madhe e tyre vinin nga ushqimet ultra të përpunuara. Mes tjerash, u gjet se konsumi më i lartë i konservuesve në përgjithësi, si dhe i disa substancave specifike (p.sh. nitritet), lidhej me rrezik më të lartë për diabet.
Një studim tjetër nga i njëjti grup kërkimor, i publikuar në “The BMJ”, shqyrtoi lidhjen mes konservuesve dhe kancerit. Në këtë analizë, që përfshiu mbi 105 mijë persona, u regjistruan më shumë se 4,200 raste kanceri.
Edhe pse nuk u gjet lidhje me totalin e konservuesve, disa substanca të veçanta, si sorbati i kaliumit dhe sulfitet, u shoqëruan me rritje të rrezikut për kancer të përgjithshëm, të gjirit dhe të prostatës.
Autorët theksojnë se këto gjetje nënvizojnë nevojën për të kufizuar konsumimin e ushqimeve të përpunuara dhe për të qenë më të kujdesshëm ndaj aditivëve ushqimorë në dietën e përditshme. /Gazeta Shneta/


