Sëmundja Krohn është një gjendje autoimune kronike e sistemit tretës, që prek rreth një milion njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë. Kjo gjendje shoqërohet me simptoma si dhimbje barku, diarre, lodhje, nauze, të vjella dhe humbje peshe.
Edhe pse nuk ka shërim përfundimtar, trajtimet aktuale synojnë vetëm lehtësimin e simptomave përmes medikamenteve, ndryshimeve dietike dhe në raste të rënda, ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri sugjeron se një dietë shumë e kufizuar në kalori, e njohur si “dietë që imiton agjërimin”, e ndjekur për disa ditë në muaj, mund të përmirësojë ndjeshëm gjendjen e personave me Krohn të lehtë deri në të moderuar.
Studimi i publikuar në “Nature Medicine”, tregon përmirësime si në simptomat klinike ashtu edhe në treguesit biologjikë të inflamacionit.
Në këtë studim 3-mujor morën pjesë 97 persona, të ndarë rastësisht në dy grupe. Grupi eksperimental ndoqi një dietë bimore prej 700–1,100 kalorish në ditë për 5 ditë rresht çdo muaj, ndërsa pjesën tjetër të muajit ushqehej normalisht. Grupi kontrollues, vazhdoi dietën e zakonshme gjatë gjithë studimit.
Rezultatet treguan se rreth 69% e pjesëmarrësve në grupin e dietës që imiton agjërimin përjetuan përmirësim të ndjeshëm të simptomave, krahasuar me 44% në grupin e kontrollit. Gjithashtu, u vu re ulje e konsiderueshme e shenjave të inflamacionit në zorrë.
Ekspertët theksojnë se këto gjetje janë premtuese, pasi ofrojnë prova konkrete se një ndërhyrje dietike e shkurtër dhe e strukturuar mund të ndihmojë realisht pacientët me sëmundjen Krohn, megjithëse nevojiten studime të mëtejshme për ta konfirmuar këtë qasje. /Gazeta Shneta/


