Mjekët përballen me vdekjen më shpesh se shumica e profesioneve të tjera, si pjesë e pashmangshme e një karriere të përkushtuar shpëtimit të jetëve. Megjithatë, një rishikim i ri shkencor tregon se arsimi modern mjekësor nuk i përgatit mjaftueshëm ata për këtë realitet të vështirë.
Sipas studiuesve, ekziston shumë pak edukim i bazuar në prova shkencore që u mëson studentëve të mjekësisë si t’i ndihmojnë pacientët dhe familjet e tyre të përballen me fundin e jetës, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Gjetjet u publikuan së fundmi në revistën “Academic Medicine” dhe tregojnë se kjo mungesë trajnimi dëmton jo vetëm pacientët, por edhe vetë mjekët e ardhshëm.
Sipas profesoreshës Raven Weaver nga Universiteti Shtetëror i Uashingtonit, trajnimi për çështjet e vdekjes mund të ulë frikën dhe ankthin si te pacientët dhe familjet e tyre, ashtu edhe te profesionistët shëndetësorë.
Ajo thekson se shumica e studentëve nuk përballen realisht me këto situata deri sa nisin praktikën, ndërkohë që përgatitja teorike mund t’i ndihmonte të reflektonin më herët.
Në rishikim u analizuan 43 studime të publikuara që nga viti 2013 mbi mënyrën se si shkollat e mjekësisë trajtojnë temën e vdekjes.
Rezultatet treguan dallime të mëdha: disa institucione ofronin vetëm njohuri bazë, si plotësimi i certifikatës së vdekjes, ndërsa të tjera përfshinin trajnime praktike në hospice ose kujdes paliativ.
Megjithatë, studiuesit përfunduan se nuk ekziston një qasje e qëndrueshme dhe e standardizuar në shkollat mjekësore amerikane. Trajnimi, kur ofrohej, ishte shpesh i shkurtër dhe me ndikim të kufizuar afatgjatë.
Sipas autorëve, përmirësimi i këtij edukimi do të ndihmonte në shmangien e trajtimeve të padëshiruara, uljen e kostove të panevojshme mjekësore dhe mbështetjen emocionale të mjekëve, duke i përgatitur ata më mirë për një nga aspektet më të vështira, por të pashmangshme, të profesionit të tyre. /Gazeta Shneta/


