Dy studime të reja shkencore sugjerojnë se zhvillimi i sklerozës multiple (MS) ndikohet nga ndërveprimi midis faktorëve gjenetikë dhe infeksionit me virusin Epstein-Barr (EBV). Sipas rezultateve të publikuara këtë javë në revistën “Cell”, ky kombinim mund të shkaktojë një reagim të fortë autoimun që çon në dëmtimin e sistemit nervor.
Studiuesit shpjegojnë se gjenetika ndihmon në përcaktimin se kush e zhvillon MS, duke lejuar që qelizat imunitare të infektuara nga virusi të vazhdojnë të prodhojnë antitrupa që sulmojnë mielinën – mbështjellësin mbrojtës të neuroneve. Ky sulm autoimun ndaj mielinës është tipar dallues i sklerozës multiple dhe shkakton simptoma si paraliza, humbja e shikimit dhe lodhja kronike, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse të gjithë personat me MS kanë qenë të infektuar më parë me virusin Epstein-Barr, rreth 95% e njerëzve të shëndetshëm gjithashtu e mbartin këtë virus. Kjo ka ngritur prej kohësh pyetjen se pse vetëm disa individë zhvillojnë sëmundjen.
Sipas studiuesve, përgjigjja qëndron te variacionet gjenetike, veçanërisht te gjenet që rregullojnë antigjenet leukocitare humane (HLA), të cilat kontrollojnë mekanizmat mbrojtës të sistemit imunitar.
Në eksperimente laboratorike me minj, qelizat B të infektuara nga EBV shkaktuan dëmtime të mielinës që ngjanin shumë me lezionet e hershme të MS. Studiuesit besojnë se këto procese mund të jenë “shkëndija” që ndez inflamacionin kronik në tru.
Sipas autorëve, gjetjet ndihmojnë në kuptimin më të qartë të rolit të faktorëve mjedisorë dhe gjenetikë në MS dhe hapin rrugën për zhvillimin e terapive të reja që synojnë mekanizmat bazë të sëmundjes. /Gazeta Shneta/


