Të paktën 39 persona kanë humbur jetën në një përplasje trenash në jug të Spanjës dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në aksidentin më të rëndë hekurudhor të vendit në më shumë se një dekadë, njoftoi Garda Civile e Spanjës.
Vagonët e një treni që po udhëtonte drejt Madridit dolën nga shinat dhe kaluan në binarët e kundërt, duke u përplasur me një tren që po vinte përballë në Adamuz, të dielën në mbrëmje.
Sipas rrjeteve hekurudhore, në të dy trenat ndodheshin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit. Shërbimet e emergjencës trajtuan 122 persona, ndërsa 48 prej tyre, përfshirë pesë fëmijë, ndodhen ende në spital. Nga këta, 11 të rritur dhe një fëmijë janë në gjendje intensive.
Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e përshkroi incidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm”, ndërsa autoritetet nisën një hetim.
Ngjarja ndodhi pranë qytetit Adamuz, afër Kordobës, kur një tren me shpejtësi të lartë që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit doli nga shinat dhe kaloi në një binar tjetër, njoftoi operatori i rrjetit hekurudhor Adif.
Treni i dalë nga shinat më pas u përplas me një tren tjetër që po vinte përballë, i cili udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës. Shërbimet e emergjencës në Andaluzí thanë se gjithsej të paktën 73 persona u plagosën në këtë përplasje, raponton BBC.




