Studiues nga Mass General Brigham dhe Karolinska Institutet kanë identifikuar një metodë të re që mund të parashikojë rrezikun e krizave të astmës deri në pesë vjet përpara.
Studimi është publikuar në revistën shkencore Nature Communications.
Astma është një nga sëmundjet kronike më të përhapura në botë, duke prekur mbi 500 milionë njerëz, shkruan MedicalXpress, transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, mjekët aktualisht nuk kanë biomarkerë të besueshëm për të identifikuar pacientët me rrezik të lartë për përkeqësime të sëmundjes.
Studimi përfshiu mbi 2,500 pacientë nga tre grupe të mëdha studimore dhe u bazua në analizën e metabolitëve në gjak përmes metodës së metabolomikës.
Rezultatet treguan se raporti ndërmjet dy grupeve të metabolitëve – sfingolipideve dhe steroideve – lidhet ngushtë me kontrollin e astmës dhe mund të parashikojë rrezikun e krizave.
Sipas studiuesve, ky raport metabolik rezultoi më i saktë sesa matja e metabolitëve individualë dhe në disa raste arriti të dallojë kohën e shfaqjes së krizës së parë mes grupeve me rrezik të lartë dhe të ulët.
Autorët theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për validimin e kësaj metode para se ajo të përdoret gjerësisht në praktikën klinike./Gazeta Shneta/


