Një nga funksionet më të rëndësishme të trurit të njeriut është krijimi dhe ruajtja e kujtimeve. Kujtesa na lejon të mbajmë mend informacionin me kalimin e kohës, të rikujtojmë ngjarje të rëndësishme të jetës, fytyrat e njerëzve që njohim dhe të mësojmë vazhdimisht gjëra të reja.
Sipas Medical News Today, një sërë faktorësh të stilit të jetesës mund të ndikojnë pozitivisht në këtë proces, ku një ndër më të rëndësishmit është gjumi i mjaftueshëm transmeton Gazeta Shneta.
Kujtimet krijohen falë qelizave të specializuara të trurit, të quajtura neurone, dhe ruhen kryesisht në zonën e hipokampusit. Përveç gjumit, edhe ushqyerja e shëndetshme, meditimi dhe zakonet e mira të jetesës luajnë rol të rëndësishëm në përmirësimin e aftësisë për të krijuar dhe ruajtur kujtime.
Studiuesit nga Universiteti Cornell kanë zbuluar se gjatë gjumit, hipokampusi hyn në një gjendje “heshtjeje”, duke i lejuar neuronet të “rivendosen”.
Ky proces i bën ato më të gatshme për të krijuar kujtime të reja ditën tjetër. Zbulimi u bë përmes një studimi eksperimental në model miu dhe u publikua së fundmi në revistën shkencore Science.
Autorja kryesore e studimit, Azahara Oliva, PhD dhe profesoreshë asistente e neurobiologjisë në Universitetin Cornell, thekson se, ndonëse dihet se gjumi përmirëson kujtesën, ende nuk kuptohen plotësisht mekanizmat nervorë që e mundësojnë këtë.
Sipas saj, zbërthimi i këtyre proceseve mund të ndihmojë në trajtimin e çrregullimeve të kujtesës. Duke pasur parasysh se rreth një e treta e jetës sonë kalon duke fjetur, kuptimi i lidhjes mes gjumit dhe kujtesës është thelbësor për shëndetin e trurit. /Gazeta Shneta/


