Personat që kanë kaluar herpesin gjatë jetës së tyre mund të jenë në rrezik më të lartë për të përjetuar rënie subjektive njohëse, një gjendje që shpesh paraprin probleme më serioze të funksioneve mendore.
Këtë e zbulon një studim i ri, i cili njëkohësisht thekson rëndësinë e vaksinimit kundër herpesit, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Hulumtimi u realizua nga studiuesit e ‘Brigham and Women’s Hospital’, në Boston, Masaçusets, dhe u publikua në revistën shkencore “Alzheimer’s Research & Therapy”.
Sipas rezultateve, personat që kanë pasur herpes zoster kanë rreth 20% më shumë gjasa të raportojnë ndjenjën e rënies njohëse më vonë në jetë, krahasuar me ata që nuk e kanë përjetuar këtë infeksion.
Rënia subjektive njohëse i referohet perceptimit personal të përkeqësimit të kujtesës ose aftësive mendore, edhe në rastet kur testet standarde ende nuk tregojnë dëmtime të dukshme. Kjo gjendje konsiderohet shpesh si një sinjal i hershëm i çrregullimeve më serioze njohëse, përfshirë demencën.
Studimi evidentoi gjithashtu dallime gjinore dhe gjenetike. Burrat që mbartin gjenin APOE4, i cili lidhet ngushtë me rrezikun për dëmtime kognitive dhe demencë, rezultuan të jenë në rrezik më të lartë për rënie njohëse krahasuar me gratë me të njëjtin predispozicion gjenetik.
Mes tjerash, studime të mëparshme kanë treguar se nivelet më të larta të vaksinimit kundër herpesit lidhen me një rrezik më të ulët të zhvillimit të demencës, duke përforcuar idenë se parandalimi i këtij infeksioni mund të ketë përfitime afatgjata për shëndetin e trurit. /Gazeta Shneta/


